INFUSION FINANCIAR/ Rreth 13 milionë euro kompensime për pronat në Gjilan brenda dy viteve

Ish-drejtori i Kadastrës në Gjilan, aktualisht këshilltar komunal nga radhët e LVV-së, Bekim Salihu, ka mirëpritur vendimin përfundimtar të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e pronave që preken nga projekti i “Qarkores së Vjetër të Qytetit” (Loti 1 dhe Loti 2), i cili prek zonat kadastrale në Shillovë, Livoç të Ulët dhe Gjilan.

Sipas Salihut, ky vendim i jep fund vuajtjes 26-vjeçare të rreth 375 familjeve gjilanase, pronat e të cilave ishin marrë pa asnjë kompensim që nga periudha e pasluftar.

Salihu bëri të ditur se ky proces, i cili ka nisur dy vite më parë përmes një pune profesionale të vetë zyrtarëve të kadastrit lokal pa kosto shtesë prokurimi, do të ketë një ndikim të madh financiar.

Në bazë të Ligjit për Shpronësimin, Qeveria është e obliguar që brenda dy viteve t’i kryejë obligimet ndaj pronarëve, gjë që nënkupton se rreth 13 milionë euro do të injektohen direkt në ekonominë e Gjilanit.

Këshilltari komunal hodhi poshtë zërat se ky vendim mund të jetë një lëvizje parazgjedhore, duke sqaruar se bëhet fjalë për një proces të gjatë ligjor që kalon nëpër disa faza komplekse, si: Inicimi i kërkesës dhe hartimi i dokumentacionit (elaboratit), shqyrtimi nga Organi Shpronësues dhe nxjerrja e Vendimit Preliminar, periudha e shqyrtimit publik dhe ankesave, lerësimi i pronave dhe në fund, nxjerrja e Vendimit përfundimtar.

Në përmbyllje, ai shprehu një falënderim të thellë për stafin e Drejtorisë së Kadastrit në Gjilan, si dhe për departamentet përkatëse në Ministrinë e Financave dhe atë të Infrastrukturës, të cilët bashkëpunuan ngushtë për finalizimin e këtij projekti që çliron edhe komunën nga një barrë e rëndë e vendimeve gjyqësore.

 

Shpërndaj me të tjerët