SIGURI / Delegacioni i Gjilanit vizitoi Iowan, synimi forcimi i kapaciteteve në Mbrojtje dhe Shpëtim

Në kuadër të një vizite zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtm i Komunës së Gjilanit, Enver Shabani, ishte pjesë e delegacionit gjilanas që qëndroi në qytetin Sioux City të shtetit Iowa.

Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy qyteteve, me fokus të veçantë në fushën e sigurisë dhe menaxhimit të krizave.

Delegacioni, i përbërë nga përfaqësues të institucioneve komunale, shoqërisë civile dhe strukturave të sigurisë, zhvilloi një sërë takimesh me drejtues të departamenteve kryesore në Sioux City.

Gjatë këtyre takimeve, drejtori Shabani pati mundësinë të njihej nga afër me praktikat më të mira amerikane në fushën e mbrojtjes dhe shpëtimit, si dhe me modelet e avancuara të menaxhimit të emergjencave dhe sigurisë publike.

Vizita u shfrytëzua si një platformë për shkëmbimin e përvojave profesionale dhe krijimin e kontakteve të reja që synojnë avancimin e kapaciteteve operacionale të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjilan.

Përveç rritjes së nivelit profesional, ky qëndrim shërbeu edhe për thellimin e miqësisë ndërmjet Komunës së Gjilanit dhe Sioux City, duke hapur rrugë për projekte të përbashkëta afatgjata në fusha me interes të ndërsjellë.

 

Shpërndaj me të tjerët