Në qytetin e Ferizajt është mbajtur turneu tradicional i pingpongut në nder të heroit kombëtar Ahmet Hoxha, një aktivitet që mblodhi mbi 130 lojtarë nga Kosova, Shqipëria, Turqia dhe diaspora.
Në këtë konkurrencë masive dhe cilësore, klubi KPP Gjilani-F është paraqitur me rezultate të shkëlqyera, duke dëshmuar punën e mirë që po bëhet me gjeneratat e reja dhe ekipin e seniorëve.
Suksesi më i madh erdhi në kategorinë U11 për femra, ku Zana Bllaca dominoi garën dhe u rendit në vendin e parë.
Një befasi e këndshme ishte edhe Kanine Govori, e cila pavarësisht përvojës prej vetëm dy muajsh, arriti të zërë vendin e tretë në po këtë kategori.
Paraqitje mjaft premtuese patën edhe Suita dhe Melisa Kosumi në kategorinë U15, të cilat treguan potencial të lartë gjatë ndeshjeve të tyre.
Në konkurrencën e seniorëve, lojtaret Adea Kulla, Olsa Zymberi dhe Malda Bllaca shkëlqyen me nivelin e tyre teknik dhe shpirtin garues, duke përfaqësuar denjësisht ngjyrat e klubit gjilanas.
Rezultatet e arritura në këtë turne prestigjioz konfirmojnë se KPP Gjilani-F vazhdon të mbetet një vatër e rëndësishme e prodhimit të kampionëve në sportin e pingpongut.
