Propozim-vendimi i debatueshëm për krijimin e një deponie të mbeturinave inerte në fshatin Malishevë është tërhequr nga rendi i ditës në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit.
Ky zhvillim vjen pas një reagimi të fortë publik dhe kundërshtimit të ashpër nga ana e opozitës, të cilët e konsideruan projektin si tejet të dëmshëm për mjedisin dhe burimet e ujit të fshatit.
Kryetari i degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, ka bërë të ditur se tërheqja e këtij propozimi u bë me mbështetjen e 31 anëtarëve të Kuvendit Komunal, të cilët votuan për largimin e tij nga rendi i punës.
Sipas Rashitit, ky është një sukses i rëndësishëm, duke theksuar se vendime të tilla nuk duhet të miratohen pa një pëlqim të gjerë qytetar dhe pa debate paraprake publike.
Opozita ka kujtuar se institucionet e kanë obligim ligjor konsultimin me banorët për projekte që prekin drejtpërdrejt jetën e tyre.
Rashiti ka falënderuar të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike që u rreshtuan kundër propozimit të kryetarit të komunës, duke mbrojtur interesin e qindra familjeve të Malishevës që rrezikoheshin nga kontaminimi i mundshëm i ujit dhe shkatërrimi i ambientit.
