Gjatë seancës së fundit të Kuvendit Komunal në Gjilan, këshilltari nga radhët e PDK-së, Bujar Nevzati, njëherësh një nga legjislatorët me përvojën më të gjatë në këtë institucion, ka ngritur një sërë shqetësimesh që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
Nevzati ka kërkuar llogari nga ekzekutivi për zvarritjen e disa proceseve kyçe dhe premtimeve të papërmbushura.
Ndër pikat kryesore të ngritura ishte çështja e adresave dhe numrave të shtëpive, proces ky që sipas tij po zvarritet pa arsye, duke u shkaktuar pengesa banorëve në shërbime të ndryshme.
Po ashtu, një kritikë e ashpër u drejtua sa i përket dëmshpërblimit të qytetarëve nga vërshimet e fundit.
Nevzati theksoi se edhe pse komisionet kanë bërë vlerësimin e dëmeve në ekonomi familjare dhe biznese, komuna po arsyetohet me mungesë kontratash me operatorë, duke i lënë qytetarët pa mbështetjen e premtuar.
Përveç dëmeve nga natyra, vëmendje iu kushtua edhe infrastrukturës urbane. Këshilltari i PDK-së kërkoi sqarime për projektin e “Bulevardit të Qytetit”, duke pyetur se pse ende nuk kanë nisur punimet në terren.
Gjithashtu, ai alarmoi për gjendjen e drunjve dekorativë në qytet, ku mbrojtëset e vjetra prej druri, në vend që t’i mbrojnë, po i dëmtojnë dhe po pengojnë rritjen e tyre, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të tyre.
Në fund, Nevzati kërkoi përgjegjësi edhe për sektorin e shëndetësisë. Ai i kujtoi drejtoreshës së dikasterit përkatës premtimin e dhënë në seancën e kaluar për shpalljen e konkursit për punëtorë shëndetësorë brenda pak ditësh, gjë që sipas tij, ende nuk ka ndodhur.

