SUKSES / Profesoresha nga Gjilani nis bashkëpunimin me gjigantin botëror të teknologjisë!

Profesoresha e Informatikës nga Gjilani, Lindita Nebiu Hyseni, e cila tashmë po ndërton një karrierë të suksesshme si ligjëruese në Gjermani, ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e saj akademik.

Përmes një njoftimi për ndjekësit e saj, ajo ka bërë të ditur nisjen e një moduli prestigjioz që lidh botën akademike me industrinë globale të teknologjisë.

Nebiu Hyseni ka filluar ligjërimin e modulit SAP S/4HANA dhe SAP HANA, si pjesë e një bashkëpunimi strategjik ndërmjet SRH University of Applied Sciences dhe gjigantit teknologjik SAP.

Ky hap konsiderohet i një rëndësie të veçantë, pasi u mundëson studentëve qasje në teknologjitë më të fundit të ndërmarrjeve që përdoren globalisht.

“E lumtur që sot fillova modulin SAP S/4HANA dhe SAP HANA. Me padurim pres të kombinoj mësimdhënien akademike me teknologjitë praktike të ndërmarrjeve dhe bashkëpunimin me industrinë,” është shprehur profesoresha gjilanase.

Ky angazhim i saj në një nga universitetet e njohura të shkencave të aplikuara në Gjermani, tregon për nivelin e lartë të përgatitjes profesionale dhe integrimin e suksesshëm të ekspertëve tanë në sistemet arsimore më avangarde në Evropë.

Përdorimi i platformave si SAP HANA në procesin mësimor synon t’i pajisë studentët me aftësi praktike që kërkohen sot nga tregu ndërkombëtar i punës.

 

Shpërndaj me të tjerët