KRONIKË/ Arrestohen gjashtë persona të dyshuar për vjedhje të rëndë në Gjilan

Gjashtë persona janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, arrestimet janë realizuar nga hetuesit e Njësitit të Hetimeve Rajonale në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, pas një hetimi disa mujor dhe veprimeve intensive hetimore.

Policia ka bërë të ditur se gjatë hetimeve janë siguruar prova që të dyshuarit, meshkuj kosovarë, në bashkëveprim kanë qenë të përfshirë të paktën në një rast të vjedhjes së rëndë, ndërsa dyshohet se mund të lidhen edhe me raste të tjera të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda.

Në kuadër të operacionit policor janë realizuar kontrolle në disa lokacione në Gjilan, Prishtinë dhe Fushë Kosovë, ku janë sekuestruar prova materiale, përfshirë tri automjete që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprave penale, si dhe telefona celularë.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit, të gjashtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Hetimet për rastin janë duke vazhduar.

Shpërndaj me të tjerët