Gjendja e infrastrukturës rrugore në disa zona të Gjilanit po vazhdon të ngjallë pakënaqësi të mëdha te banorët lokalë, të cilët ndihen të harruar nga autoritetet komunale sapo përfundojnë proceset zgjedhore.
Përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, një qytetare ka ngritur zërin për gjendjen e rënduar të rrugëve në lagjen “Arbëria” dhe në fshatin Velekincë, duke drejtuar akuza të drejtpërdrejta ndaj premtimeve boshe të fushatave politike.
Përveç reagimit të ashpër me fjalë, qytetarja përmes disa fotografive të shpërndara ka faktuar gjendjen e mjerueshme dhe rrugët e prishura plotësisht.
Sipas saj, lëvizja nëpër këto akse rrugore është shndërruar në një sfidë të papërballueshme të përditshme për shkak të gropave të shumta të cilat po dëmtojnë automjetet dhe po vështirësojnë qarkullimin.
“Kur janë zgjedhjet, krejt po dini kah i bijnë këto rrugë. Veç pasi po i merrni votat, askush s’po e kthen kryt me e pa këtë gjendje, është bo torturë me kalu çdo ditë nëpër këto gropa. Më e keqja, nuk ki as kah i ikë njërës gropë, se menjëherë bjen në tjetrën,” ka shkruar ajo, duke pyetur zyrtarët nëse kanë kaluar ndonjëherë nëpër këto rrugë pas përfundimit të zgjedhjeve.
Ky reagim ka gjetur mbështetje të gjerë edhe te banorët e tjerë, të cilët po bëjnë thirrje për ndërhyrje emergjente nga organet relevante komunale.

