ARSIM / UKZ nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Çag të Turqisë

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan (UKZ) ka shënuar një hap tjetër të rëndësishëm në strategjinë e tij të ndërkombëtarizimit, duke zgjeruar rrjetin e partneriteteve me nënshkrimin e dy marrëveshjeve me Çag University nga Mersini i Turqisë.

Ky bashkëpunim dypalësh përfshin një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim institucional, si dhe Marrëveshjen Interinstitucionale në kuadër të programit ICM (International Credit Mobility), e cila rregullon shkëmbimin e stafit dhe studentëve.

Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua nga Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, dhe Zëvendës Rektori i Universitetit Çag, Prof. Dr. H. Mahir Fisunoglu, me synim krijimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve akademike ndërmjet dy institucioneve.

Përmes këtij akti, të dy universitetet do të angazhohen në mobilitetin e studentëve në nivel bachelor dhe master, shkëmbimin e stafit akademik e administrativ, si dhe në realizimin e aktiviteteve të përbashkëta kërkimore e botuese.

Krahas kësaj, marrëveshja e dytë në kuadër të programit ICM do të ofrojë mundësi konkrete për shkëmbimin e përvojave akademike, kulturore dhe profesionale në një mjedis ndërkombëtar.

Partneriteti do të pasohet edhe me organizimin e përbashkët të konferencave, seminareve e punëtorive shkencore, duke u krijuar mundësi të reja studentëve dhe stafit akademik në nivel evropian dhe ndërkombëtar.

 

Shpërndaj me të tjerët