SPORT / Drita FC fton të gjithë qytetarët në festën e madhe të titullit para Teatrit të Qytetit

Nata e Kampionëve në Gjilan

Skuadra që tashmë zyrtarisht e ka shkruar emrin në histori duke u shpallur kampione e futbollit kosovar, FC Drita, ka lëshuar një ftesë të hapur për të gjithë qytetarët dhe tifozët e saj të zjarrtë që t’i bashkohen festës madhore të dielën në mbrëmje.

Pas një rrugëtimi të gjatë të mbushur me sakrificë, besim, djersë dhe zemër të lënë në fushë, trofeu i çmueshëm rikthehet aty ku i takon.

Festa e madhe e “Intelektualëve” do të organizohet me datë 24 maj, duke filluar nga ora 21:00, saktësisht në sheshin përpara Teatrit të Qytetit në Gjilan, ku pritet një atmosferë e jashtëzakonshme e shoqëruar me dekorime dhe brohoritje kampione.

Ky organizim madhështor vjen në një ditë tejet të veçantë, pasi po të dielën FC Drita do të zhvillojë edhe derbin e madh lokal kundër rivalit të përjetshëm, KF Gjilanit.

Bardhekaltrit e Anamoravës ia dolën ta mbrojnë me sukses titullin kampion edhe për këtë vit, duke e çuar në pesë numrin e përgjithshëm të titujve kampionë në historinë e lavdishme të klubit.

Kryesia e klubit dhe lojtarët ftojnë të gjithë komunitetin që të mblidhen masivisht për ta festuar këtë moment historik, për t’i dhënë zë krenarisë së qytetit dhe për ta ndjerë së bashku emocionin e madh që sjell statusi i kampionit të Kosovës.

 

Shpërndaj me të tjerët