Këshilltari komunal në Gjilan nga radhët e LDK-së dhe njëherësh banor i Zhegrës, Muhadin Haziri, ka ngritur shqetësimin për zvarritjen shumëvjeçare të punimeve në palestrën sportive të këtij fshati, e cila vazhdon të mbetet e papërfunduar edhe pas afro një dekade.
Sipas të dhënave të publikuara, palestra e nisur me kontratën me Nr. të Prokurimit GI 651 16 045 511 kishte afat të realizimit të punimeve nga viti 2017 deri në vitin 2019.
Punimet kishin filluar që në vitin 2016, me financim nga projektet kapitale të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Megjithatë, objekti ende nuk është funksional dhe nuk ka përfunduar as kulmi i tij.
Në hapësirat e brendshme shihen mbetje ndërtimore, ndërsa pjesë të objektit kanë filluar të degradohen nga mosfinalizimi dhe mungesa e mirëmbajtjes.
Duke publikuar gjendjen aktuale të objektit, Haziri ka shprehur edhe shpresën se projekti do të përfundojë një ditë në shërbim të komunitetit.
“Vetëm durim se një ditë do të bëhet Palestra e Sportit në Zhegër”, ka shkruar ai.
Haziri vlerëson se përfundimi i palestrës është një nevojë e domosdoshme për të rinjtë dhe sportistët e Zhegrës, duke kërkuar që institucionet përgjegjëse t’i japin prioritet këtij projekti të mbetur pezull prej vitesh.
Banorët e Zhegrës vazhdojnë të presin që objekti të përfundojë dhe të vihet në shërbim të komunitetit, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe rekreative.

