Në prag të festës së Kurban Bajramit, Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan, përmes degës së shoqatës humanitare “Bereqeti”, ka realizuar një aksion humanitar duke shpërndarë 200 pako ushqimore për familjet në nevojë, veteranët e luftës, anëtarët e Shoqatës së të Verbërve dhe kategori të tjera sociale.
Ky aktivitet është organizuar me synimin që familjet në gjendje më të vështirë ekonomike të ndiejnë atmosferën dhe gëzimin e festës së Bajramit, duke siguruar mbështetje konkrete për nevojat e tyre bazike.
Nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan u theksua se aksione të tilla janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të ndihmuar shtresat më të ndjeshme të shoqërisë dhe për të promovuar vlerat e solidaritetit, mëshirës dhe kujdesit ndaj njëri-tjetrit.
Përmes këtij aksioni humanitar u dëshmua edhe njëherë rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve fetare dhe organizatave bamirëse në ofrimin e ndihmës për qytetarët në nevojë, veçanërisht në prag të festave fetare.
Shpërndarja e pakove ushqimore u prit me mirënjohje nga përfituesit, të cilët do ta presin Kurban Bajramin me më shumë lehtësi dhe gëzim falë kësaj mbështetjeje.

