ARSIM/ Pensionohet drejtori Ruhan Zymberi, një jetë në shërbim të arsimit

Pas një karriere të gjatë dhe të përkushtuar në arsim, është pensionuar drejtori Ruhan Zymberi, duke përmbyllur një kapitull të rëndësishëm të jetës së tij profesionale, të ndërtuar mbi punën, përkushtimin dhe përgjegjësinë ndaj brezave të rinj.

Me rastin e pensionimit, Zymberi ka shprehur mirënjohjen e tij për kolegët dhe bashkëpunëtorët, duke i falënderuar për mbështetjen, respektin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë gjatë viteve të punës.

“Ishte nder dhe privilegj për mua të jem pjesë e këtij kolektivi, ku ndamë sfida, suksese, përvoja dhe kujtime të paharrueshme. Nga secili prej jush kam marrë respekt, përkrahje dhe motivim për ta ushtruar me përkushtim profesionin e drejtorit”, ka shkruar ai në mesazhin e lamtumirës.

Ruhan Zymberi ka dhënë kontribut të çmuar në sistemin arsimor për shumë vite.

Për një periudhë të gjatë ai ka ushtruar detyrën e zëvendësdrejtorit në ShFMU “Thimi Mitko”, ndërsa për disa mandate ka qenë drejtor i ShFMU “Sejdullah Brestovci”, duke udhëhequr institucionin me përkushtim dhe përgjegjësi.

Në mesazhin e tij, ai ka theksuar se largohet nga puna aktive me emocione të veçanta, por me zemër plot mirënjohje për të gjitha momentet e mira të përjetuara me kolegët dhe nxënësit.

“Ju uroj nga zemra shëndet, suksese dhe mbarësi në punën dhe jetën tuaj. Uroj që shkolla jonë të vazhdojë gjithmonë me rezultate të mira dhe me frymën e bashkëpunimit e respektit”, ka theksuar Zymberi.

Pensionimi i tij shënon fundin e një karriere të gjatë në shërbim të arsimit, ndërsa kolegët dhe bashkëpunëtorët e vlerësojnë atë si një pedagog dhe drejtues të përkushtuar, i cili la gjurmë të rëndësishme në institucionet ku veproi.

Shpërndaj me të tjerët