TRASHËGIMI KULTURORE/ Ministrja Saranda Bogujevci viziton Gjilanin, pranohet simbolikisht objekti i restauruar i ish-Teknikës Popullore

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në një takim ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci, si dhe zëvendësministren Nora Arapi, me të cilat ka vizituar disa nga projektet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore në qytet.

Gjatë vizitës, ata panë nga afër objektin e restauruar të ish-Teknikës Popullore, ku u bë edhe pranim-dorëzimi simbolik i çelësave, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të këtij objekti në funksion dhe në shërbim të komunitetit.

Më pas, delegacioni vizitoi edhe shtëpinë më të vjetër të qytetit, pronë e Zekrija Abdullahut, e ndërtuar para 136 vitesh, e cila konsiderohet një dëshmi e çmuar e historisë dhe identitetit urban të Gjilanit.

Kryetari Hyseni theksoi se ruajtja dhe restaurimi i objekteve të trashëgimisë kulturore mbetet një angazhim i përbashkët institucional, me qëllim që vlerat historike dhe kulturore të mos mbeten në harresë, por të ruhen për brezat e ardhshëm.

Në fund të vizitës, ai falënderoi ministren Bogujevci dhe ekipin e saj për përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj projekteve që lidhen me ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Gjilan.

Shpërndaj me të tjerët