Punimet në aksin rrugor Breznicë – Muhoc po vijojnë me një ritëm mjaft të shpejtë dhe po zhvillohen tërësisht sipas planit të paraparë dinamik.
Ky projekt i rëndësishëm infrastrukturor pritet t’ua lehtësojë ndjeshëm qarkullimin dhe jetën e përditshme banorëve të kësaj zone, të cilët kanë pritur prej kohësh këtë investim.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, i cili përmes një mesazhi dhe disa fotografive të publikuara nga vendi i ngjarjes ku po zhvilloheshin punimet, ka shprehur kënaqësinë për ecurinë e punëve në terren, duke i uruar njëkohësisht të gjithë qytetarëve një fundjavë të mbarë.
Lidhje më e shpejtë për fshatrat e Malësisë së Bujanocit
Rëndësia e këtij aksi rrugor është e dyfishtë, pasi ai mundëson lidhjen direkte edhe me fshatrat e tjerë të Malësisë së Bujanocit, duke pasur parasysh se rruga Muhoc – Zarbicë është e asfaltuar kohë më parë.
Ky investim do të ndikojë drejtpërdrejt në brezin kufitar dhe në zonat rurale.
Asfaltimi i segmenteve Muhoc – Breznicë dhe Breznicë – Tërnoc do ta shkurtojë ndjeshëm distancën për në qytetin e Bujanocit.
Kjo infrastrukturë e re pritet të jetë një ndihmë e madhe për jetesën e atyre pak banorëve që kanë mbetur në këto fshatra, duke parandaluar kështu zbrazjen e mëtejshme të këtyre zonave.

