Kamenica mirëpret talentet shqiptare në Kupën e Anamoravës 2026
Në Kamenicë po zhvillohet sot Olimpiada Rajonale e Matematikës “Kupa e Anamoravës 2026”, një aktivitet që ka mbledhur 65 nxënës të talentuar nga Gjilani, Kamenica, Vitia, Novobërda, Presheva, Bujanoci, Kumanova dhe Shkupi.
Kjo garë rajonale synon të promovojë dijen, kreativitetin dhe talentin në matematikë, duke krijuar një hapësirë të përbashkët për garë, bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash ndërmjet nxënësve dhe mësimdhënësve nga trevat shqiptare.
Organizatorët vlerësojnë se përmes kësaj olimpiade synohet identifikimi dhe zhvillimi i talenteve të rinj në matematikë, si dhe forcimi i bashkëpunimit arsimor ndërmjet komunave dhe qyteteve pjesëmarrëse.
“Kupa e Anamoravës 2026” shënon edicionin e parë të kësaj gare, me synimin që të kthehet në një traditë të rëndësishme që promovon matematikën dhe lidhjet akademike ndërmjet të rinjve shqiptarë në rajon.
Matematika po bashkon sot në Kamenicë talentet më të mira të gjeneratës së re.
