Procesi i fundit zgjedhor në Kosovë ka prodhuar një fitues të heshtur, por jashtëzakonisht të fuqishëm, “Koalicionin” e Abstenimit.
Refuzimi masiv i qytetarëve për t’iu drejtuar kutive të votimit, ku plot 63.19% e popullsisë me të drejtë vote zgjodhi të qëndrojë në shtëpi, përbën një shuplakë të rëndë dhe të drejtpërdrejtë për të gjithë spektrin politik në vend, pa dallim pozite apo opozite.
Përgjegjësia për këtë braktisje masive duhet të shpërndahet në mënyrë proporcionale. Në këtë dritë, trumbetimi publik i fitoreve apo deklaratat pompoze se kush doli i pari në garë, shpërfaqin një absurditet të thellë që sfidon moralin dhe etikën minimale politike. Si mund të festohet triumfi, kur vetëm në komunën e Gjilanit u regjistruan mbi 11 mijë votues më pak se në proceset paraprake? Ky nuk është thjesht numër; është një manifestim i pastër i zhgënjimit dhe i indinjatës qytetare.
Konsumimi i klasës politike dhe pjekuria e sovranit
Ky 63%-sh duhet lexuar me kujdes dhe pa arrogancë nga partitë politike. Ai sinjalizon se klasa aktuale udhëheqëse po shkon drejt konsumimit total, duke shteruar çdo rezervuar të besueshmërisë dhe pritshmërisë së popullit.
Kjo mosdalje masive ishte një votë e qartë “Kundër të gjithëve”, kundër atyre që tallen me përditshmërinë e qytetarit dhe që po e degradojnë substancën e shtetit të Kosovës.
Populli i Kosovës ka dëshmuar një pjekuri të lartë demokratike, duke u shndërruar shpesh në shembull për rajonin. Ai e ka kuptuar peshën e votës dhe ndëshkimin e aplikon përmes heshtjes injoruese, një shoqëri e mençur të jep mundësinë e parë dhe të dytë, por kurrë të tretën nëse zhgënjehet.
Kriza e zgjedhjeve të shpeshta, 50 milionë euro pa vizion
Një nga faktorët kryesorë të këtij eklipsi elektoral është edhe lodhja sistematike e popullatës me procese të shpeshta e të parakohshme.
Brenda një harku kohor prej vetëm 18 muajsh (një vit e gjysmë), duke përfshirë edhe zgjedhjet lokale, Kosova ka kaluar nëpër 5 palë zgjedhje.
Me një kosto mesatare prej 10 milionë eurosh për organizim, rreth 50 milionë euro të taksapaguesve janë shpenzuar për procese elektorale që nuk prodhuan asnjë vizion afatgjatë.
Këto mjete financiare kanë mundur dhe kanë pasur nevojë emergjente të orientohen drejt investimeve kapitale dhe projekteve të prekshme që përmirësojnë direkt jetën e qytetarit të rëndomtë.
Alarmi i fundit për reformat e brendshme
Kjo rënie drastike e pjesëmarrjes është indikatori i fundit alarmues për partitë politike në vend. Ky rezultat i detyron ato të rishikojnë urgjentisht strategjitë e tyre, duke filluar nga pastrimi i listave zgjedhore.
Koha e militantëve partiakë të zhurmshëm dhe e analfabetëve funksionalë që mbushin ulëset e pushtetit duhet të perëndojë.
Nëse partitë duan të kthejnë besimin e humbur, ato duhet t’i hapin rrugë kuadrove deficitare, profesionistëve të dëshmuar dhe njerëzve me integritet, përpara se braktisja e radhës të jetë përfundimtare për fatin e tyre politik.

