ARSIM/ Përfaqësuesit e UKZ-së morën  pjesë në aktivitetin “Pilot Testing 1” të projektit EMPHASIS në Greqi

Në kuadër të projektit ndërkombëtar EMPHASIS, një delegacion nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” i Gjilanit ka marrë pjesë në aktivitetin “Pilot Testing 1”, i cili u zhvillua në Kozani të Greqisë.

Ky aktivitet mblodhi së bashku partnerët e projektit me synim prezantimin e programit të trajnimit, moduleve edukative, si dhe testimin e platformës EMPHASIS, duke u fokusuar në zhvillimin e kompetencave dhe promovimin e praktikave inovative në arsimin e lartë.

Gjatë punimeve të këtij aktiviteti, Ushtruesi i Detyrës së Udhëheqësit të Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Anëtarësime në UKZ, Betim Berisha, bëri një prezantim të përgjithshëm të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, duke pasqyruar aktivitetet konkrete dhe progresin e arritur nga ky institucion në kuadër të projektit EMPHASIS.

Pjesë e trajnimeve intenzive ishin edhe profesorët Teuta Agaj dhe Berat Dërmaku, si dhe zyrtarët Lizë Maliqi e Burim Ademi.

Takimi kishte për qëllim parësor shkëmbimin e përvojave akademike dhe profesionale ndërmjet partnerëve, vlerësimin e rezultateve të deritanishme, si dhe diskutimin e hapave të ardhshëm që garantojnë qëndrueshmërinë dhe shfrytëzimin efikas të rezultateve të projektit në të ardhmen.

Në kuadër të këtij agjende, pjesëmarrësit vizituan edhe qendrën e njohur kërkimore CERTH/EKETA në Ptolemaida. Gjatë kësaj vizite, delegacioni u njoh nga afër me iniciativa dhe praktika të avancuara në fushën e tranzicionit të gjelbër, teknologjive të qëndrueshme dhe inovacionit, gjë që ofroi një mundësi të vlefshme për shkëmbim njohurish dhe për të parë zgjidhje konkrete që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm.

Projekti EMPHASIS po vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në modernizimin e arsimit të lartë, duke promovuar qasje të reja në mësimnxënie, zhvillim profesional dhe bashkëpunim ndërkombëtar, me synim final përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të Universitetit “Kadri Zeka”.

 

Shpërndaj me të tjerët