Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka përshëndetur nisjen e kurseve përgatitore pa pagesë për Testin e Maturës Shtetërore 2026, duke e vlerësuar këtë si një projekt inovativ dhe mjaft të rëndësishëm për rrugëtimin akademik të të rinjve gjilanas.
Ky organizim vjen si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Drejtorisë Komunale të Arsimit, Shoqatës së Matematikanëve të Gjilanit dhe mësimdhënësve të gjuhës shqipe.
Kreu i Gjilanit ka bërë të ditur se ky projekt realizohet për herë të parë në këtë formë, duke u ofruar mbështetje direkte dhe profesionale nxënësve në prag të provimit shtetëror.
“Për herë të parë, në bashkëpunim me Shoqatën e Matematikanëve dhe mësimdhënësit e gjuhës shqipe, po organizojmë kurse falas për maturantët e Gjilanit, si përgatitje për Testin e Maturës 2026. Ju ftojmë të aplikoni deri më 5 qershor, ndërsa kursi do të fillojë më 10 qershor. Maturantëve tanë u urojmë shumë suksese në rrugëtimin e tyre drejt rezultateve sa më të mira”, ka deklaruar kryetari Alban Hyseni.
Sipas agjendës zyrtare të publikuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit, kurset përgatitore do të fillojnë nesër (e mërkurë, 10 qershor).
Të gjithë maturantët e regjistruar janë të obliguar të paraqiten në ambientet e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në orën 15:00, ku fillimisht do të bëhet regjistrimi dhe sistemimi i tyre nëpër klasa.
Programi i ditës së parë do të zhvillohet sipas këtij orari:
15:00 – 15:20 – Regjistrimi dhe sistemimi i pjesëmarrësve
15:20 – 15:30 – Prezantimi i programit të kurseve
15:30 – 18:30 – Zhvillimi i kurseve përgatitore
Këto kurse intensive do të organizohen rregullisht çdo ditë pune deri më 19 qershor 2026.
Nxënësit do të jenë të ndarë në gjashtë grupe të veçanta, ku do të ndjekin nga dy orë mësimore në lëndën e Matematikës dhe dy orë në lëndën e Gjuhës Shqipe.
Institucionet komunale u kanë bërë thirrje të gjithë maturantëve që ta respektojnë me përpizmeri orarin e përcaktuar, në mënyrë që të përfitojnë maksimalisht nga kjo mundësi e ofruar pa pagesë për arritjen e rezultateve sa më të larta në Testin e Maturës.
