Një pusetë me defekt të rëndë në fshatin Livoq i Epërm po shndërrohet në një makth të vërtetë për banorët e zonës.
Të revoltuar nga neglizhenca dhe mosndërhyrja e institucioneve përgjegjëse, banorët kanë dërguar foto dhe video dëshmuese në redaksinë tonë, duke alarmuar për rrezikun e madh që po u kanoset çdo ditë.
Sipas dëshmive të qytetarëve, kjo pusetë e dëmtuar jo vetëm që paraqet një rrezik serioz për sigurinë e automjeteve dhe këmbësorëve që qarkullojnë aty, por me rritjen e temperaturave gjendja është bërë e papërballueshme edhe për shkak të erës së rëndë.
Në mesazhin e dërguar në adresën tonë, një banor i rrugës ”Ahmet Jakupi” ka sqaruar se ankesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër tash e një vit, përkundër faktit që të gjitha organet kompetente janë në dijeni për problemin.
“Që një vit gati është kjo gjendje. Krejt institucionet janë të informuara. Tash si u nxeh koha, era është katastrofë. Livoq i Epërm, Rruga ‘Ahmet Jakupi'”, ka shkruar ai në mesazhin drejtuar redaksisë sonë.
Banorët kërkojnë ndërhyrje emergjente nga ana e komunës apo kompanisë përgjegjëse të ujësjellësit dhe kanalizimit për sanimin e këtij defekti, para se rritja e mëtutjeshme e temperaturave të sjellë ndonjë epidemi apo të shkaktojë ndonjë aksident të rëndë në komunikacion.
