Në Fakultetin e Edukimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është mbajtur një takim pune me stafin akademik dhe administrativ, i thirrur nga u.d. dekania, Prof. Asoc. Dr. Nerxhivane Krasniqi.
Ky takim kishte për qëllim diskutimin dhe koordinimin e hollësishëm të aktiviteteve që lidhen drejtpërdrejt me procesin e riakreditimit të programeve studimore të këtij fakulteti.
Gjatë takimit u trajtuan çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me përgatitjet intensive për riakreditimin e programeve, përmbushjen e standardeve të cilësisë, rregullimin e dokumentacionit të nevojshëm dhe ndarjen e angazhimeve konkrete për stafin në këtë proces jetik për institucionet e arsimit të lartë.
U.d. dekania, Prof. Asoc. Dr. Nerxhivane Krasniqi, ka theksuar rëndësinë e madhe të bashkëpunimit dhe përkushtimit të të gjithë stafit për të siguruar një proces sa më të suksesshëm të riakreditimit.
Ajo vlerësoi se cilësia akademike dhe përmirësimi i vazhdueshëm i programeve studimore mbeten përherë prioritetet kryesore të Fakultetit të Edukimit në UKZ.
Në pjesën e dytë të takimit, pjesëmarrësit diskutuan mbi hapat e mëtejmë, afatet kohore dhe detyrat specifike që duhet të realizohen brenda afateve të parapara në kuadër të procesit të riakreditimit, duke shprehur gatishmërinë e plotë për të kontribuar në përmbushjen e të gjitha kërkesave dhe standardeve të përcaktuara nga Agjencia e Akreditimit.

