KULTURË – ARSIM/ Pensionohet profesori dhe piktori i njohur gjilanas Luan Shahiqi

Pas dekadash të tëra pune dhe përkushtimi të jashtëzakonshëm në fushën e arsimit dhe artit pamor, profesori dhe piktori i mirënjohur gjilanas, Luan Shahiqi, ka mbyllur kapitullin e tij profesional duke u pensionuar zyrtarisht.

Me këtë rast, kolektivi i Shkollës së Arteve Pamore “Adem Kastrati”, familjarë e miq kanë organizuar një ceremoni emocionuese në nderim të kontributit të tij shumëvjeçar.

Drejtori i shkollës, Roland Masurica, ka vlerësuar lart figurën e profesor Shahiqit, duke e cilësuar atë si një shembull të korrektësisë dhe profesionalizmit.

“Pas dekadash të tëra pune, krijimtarie dhe përkushtimi, profesori ynë po mbyll një kapitull të rëndësishëm të jetës profesionale.

Ky është një moment krenarie për arritjet e tij, por edhe emocionesh për të gjithë ne që kemi pasur fatin të bashkëpunojmë me të”, u shpreh Masurica, duke vënë theksin edhe te krijimtaria e pasur artistike e profesorit brenda dhe jashtë vendit.

Mbi përvojat e përbashkëta dhe dimensionin e lartë njerëzor e profesional të Luan Shahiqit folën edhe profesorët Nijazi Haziri, Rexhep Bunjaku, Agim Kajtazi dhe Bajram Fejzullahu. Në emër të familjes, të pranishmit i falënderoi Kujtim Shahiqi, i cili çmoi lart respektin e treguar nga kolektivi.

Vetë profesori Luan Shahiqi, i përlotur nga emocionet e kësaj dite, u shpreh se pushimi është i mirëseardhur, por krijimtaria e tij nuk do të ndalet kurrë.

“Në këto momente po e kuptoj se ka ardhur koha për të pushuar. Megjithatë, për sa kohë do ta kem shëndetin, nuk do të ndalem së krijuari.

Në art, fatmirësisht, nuk ka pensionim”, porositi ai. Në shenjë falënderimi për edukimin e shumë gjeneratave, Shahiqit iu ndanë mirënjohje nga drejtoria e shkollës dhe Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan.

Kush është Luan Shahiqi? Një rrugëtim i pasur mes dizajnit, pikturës dhe mësimdhënies

Luan Shahiqi u lind më 19 korrik 1961 në Gjilan, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Në vitin shkollor 1979/1980 regjistroi Akademizë e Arteve (dega e Pikturës), ku diplomoi dhe më pas fitoi gradën Magjistër i Arteve.

Karriera e hershme (1983–1990): E filloi si dizajner i perdeve në fabrikën e njohur të tekstilit “INTEGJ” në Gjilan.

Dizajni i enterierit (1990–2012): Për më shumë se dy dekada punoi si dizajner i enteriereve, duke realizuar projekte të shumta e të rëndësishme.

Mësimdhënia (2012–2026): Iu bashkua Shkollës së Arteve Pamore “Adem Kastrati” në Gjilan si mësimdhënës i vizatimit, duke u shndërruar në një mentor dhe frymëzim për breza të tërë artistësh të rinj.

Profesor Shahiqi njihet edhe si një ndër nismëtarët kolektivë për themelimin e Shkollës së Arteve në Gjilan dhe ka shërbyer për disa mandate si kryetar i Shoqatës së Artistëve Pamorë të Gjilanit.

Krijimtaria e tij si piktor është prezantuar në ekspozita të shumta kolektive dhe individuale, ku ndër më të rëndësishmet veçohen ajo në Gjilan (1984), Gjakovë të Kroacisë (1986), Beograd (1986), Cyrih të Zvicrës (1991) dhe Prishtinë (2011).

 

 

Shpërndaj me të tjerët