LAJM I MIRË / Akreditohet programi Master Juridik-Penal në UKZ për tri vitet e ardhshme

Fakulteti Juridik i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka shënuar një sukses të madh institucional.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC), në mbledhjen e mbajtur më 8 qershor 2026, ka marrë vendim zyrtar për akreditimin e Programit të Masterit Juridik-Penal për tri vitet e ardhshme.

Lajmin e mirë për studentët e juridikut e ka ndarë profesori i këtij fakulteti, Vaxhid Sadriu, i cili bëri të ditur se ky vendim erdhi pas shqyrtimit pozitiv të Raportit të Vlerësimit nga ekspertët e huaj.

Përmes një shkrimi, profesori Sadriu ka shprehur mirënjohjen e tij për të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces të rëndësishëm për ngritjen akademike të universitetit.

“Me këtë rast shfrytëzoj rastin për të falënderuar anëtarët e KSHC-së, Rektorin Dërmaku, Dekanen Krasniqi dhe gjithë profesoratin e Fakultetit Juridik! Suksese dhe na priftë e mbara”, ka shkruar Sadriu.

Ky akreditim hap dyer të reja për të gjithë studentët e rajonit të Anamoravës që dëshirojnë të ndjekin studimet e nivelit Master në fushën penale, duke garantuar cilësi dhe standarde të vlerësuara nga ekspertë ndërkombëtarë.

 

Shpërndaj me të tjerët