FOTO QË SJELL KUJTIME / Drejtori i Financave në Gjilan, Avdyl Kastrati, rikthen qershorin e vitit 1999 në Dobërçan

Një fotografi e shpërndarë në rrjetet sociale nga Avdyl Kastrati, aktualisht drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, ka ngjallur emocione dhe kujtime nga qershori i vitit 1999, një periudhë që shënoi fundin e luftës dhe fillimin e lirisë për Kosovën.

Përmes fotografisë, Kastrati ka rikujtuar momentin kur forcat e KFOR-it hynë në Dobërçan, duke sjellë shpresë dhe siguri për banorët e zonës.

“Kur në rrugët tona hynë ushtarët e KFOR-it, erdhi shpresa se lufta po merrte fund. Por liria nuk erdhi rastësisht. Ajo u pagua me gjakun e dëshmorëve, me sakrificën e UÇK-së dhe me vuajtjet e një populli të tërë që nuk u dorëzua kurrë”, ka shkruar Kastrati.

Ai ka theksuar se liria e Kosovës mbetet e lidhur ngushtë me sakrificën e dëshmorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, duke shprehur njëkohësisht mirënjohje për aleatët ndërkombëtarë.

“Lavdi e përjetshme dëshmorëve të UÇK-së! Mirënjohje për aleatët tanë. Liria jeton në kujtesën tonë”, ka përfunduar ai.

 

 

Shpërndaj me të tjerët