KREATIVE / Festa e Çlirimit ndryshe në Velekincë, dituria shpërblehet me biçikleta, zbuloni nxënësit kampionë!

Kur liria e një populli festohet përmes dritës së diturisë, dhuratat marrin kuptim tjetër. Në Velekincë, rrugëtimi drejt suksesit këtë vit nuk u mat vetëm me nota, por u shpërblye me mjetin që simbolizon lëvizjen e lirë, energjinë dhe rininë, me biçikleta për mendjet më të ndritura!

Nën moton frymëzuese “Festojmë lirinë e Kosovës, shpërblejmë suksesin e nxënësve!”, Shkolla e Mesme të Ulët “Mulla Idris Gjilani” në Velekincë të Gjilanit ka organizuar një manifestim të jashtëzakonshëm për nder të 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Ishte një gërshetim perfekt mes kujtesës historike dhe vlerësimit të gjeneratës së re, e cila lirinë po e jeton dhe po e nderon përmes librit.

Dituria në Pedale, nxënësit që triumfuan në testin e njohurive

Pjesa më emocionuese e këtij organizimi ishte kurorëzimi i një testi të veçantë njohurish.

Për të nxitur konkurrencën e shëndoshë dhe për të vlerësuar maksimalisht përkushtimin, drejtoria e shkollës kishte përgatitur një surprizë tejet joshëse: nxënësit kampionë nga secila klasë u shpërblyen me nga një biçikletë të re, si një shtysë për të pedaluar gjithmonë drejt majave të suksesit.

Këta janë nxënësit që shkëlqyen me rezultatet më të larta: klasa e gjashtë,  Unik Isaku dhe Pranvera Jashari, klasa e shtatë, Marlin Asllani, klasa e tetë, Bardh Shkodra, dhe klasa e nëntë, Nurije Bajrami

Mesazhet patriotike dhe bashkëpunimi me komunitetin

Manifestimi nisi me fjalën e ngrohtë të drejtorit të shkollës, Zaim Zymeri, i cili preku zemrat e të pranishmëve duke kujtuar çmimin e lartë të lirisë dhe rëndësinë e edukimit të brezave që do t’i dalin zot vendit.

Më pas, skena u ndez nga kreativiteti i vetë nxënësve, të cilët përmes recitimeve, eseve prekëse dhe monologëve me motive patriotike, dëshmuan talentin dhe dashurinë e tyre për atdheun.

Kjo festë e madhe e shkollës mblodh rreth vetes gjithë komunitetin e fshatit.

Në shenjë falënderimi për mbështetjen e pakursyer, drejtoria nderoi edhe praninë e mysafirëve të veçantë, si këshilltarin komunal Fadil Ademi, kryetarin e fshatit Skender Bajrami, si dhe kryetarin e Këshillit të Prindërve, Lulzim Jahiu.

 

Shpërndaj me të tjerët