FC Drita ka njoftuar përfundimin e bashkëpunimit me portierin Leutrim Rexhepi, pas skadimit të kontratës së tij me klubin.
Rexhepi ishte rikthyer te bardhekaltërit në një moment të rëndësishëm për skuadrën, pas situatës emergjente të krijuar nga lëndimi i portierit Eron Isufi.
Ai iu përgjigj thirrjes së klubit dhe u vu në dispozicion të ekipit kur nevoja ishte më e madhe.
Klubi gjilanas e ka falënderuar portierin për kontributin, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë periudhës sa ishte pjesë e Dritës.
“FC Drita e falënderon Leutrim Rexhepin për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar, duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës së tij”, thuhet në njoftimin e klubit.

