Kur përkushtimi, vullneti dhe dashuria për profesionin bashkohen, rezultatet nuk mungojnë.
Kështu ka vepruar mësuesi Arsim Avdiu nga ShFMU “Nazmi Hoxha” në Gjilan, i cili së bashku me nxënësit e klasës së parë ka realizuar një koreografi të veçantë me rastin e përfundimit të mësimit të shkronjave dhe Festës së Abetares.
Përmes një shfaqjeje kreative dhe plot emocione, nxënësit festuan një nga momentet më të rëndësishme të rrugëtimit të tyre shkollor, mësimin e leximit dhe shkrimit.
“Sapo përfunduam mësimin e shkronjave. E nisëm rrugëtimin pa i njohur ato, ndërsa tani nxënësit lexojnë dhe shkruajnë. Për ta shënuar këtë arritje, festuam edhe Festën e Abetares me nxënësit e mi në ShFMU ‘Nazmi Hoxha’, Gjilan. Uroj që dashuria për librin dhe mësimin t’i shoqërojë gjatë gjithë jetës së tyre!”, ka shkruar mësuesi Avdiu.
Aktiviteti është vlerësuar nga prindërit dhe të pranishmit, të cilët e kanë përgëzuar mësuesin për kreativitetin dhe përkushtimin e treguar në punën me nxënësit.

