GJEST HUMAN/ Qytetarja nga Vitia dorëzon në polici portofolin me para dhe dokumente të gjetura

Një gjest për t’u vlerësuar ka ndodhur në Viti, ku një qytetare e ndërgjegjshme ka dorëzuar në polici një portofol të gjetur me dokumente personale, karta bankare dhe para të gatshme.

Sipas Policisë së Kosovës, më 12 qershor 2026, qytetarja është paraqitur në Stacionin Policor në Viti dhe ka dorëzuar portofolin që kishte gjetur.

Pas pranimit të tij, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin e pronarit.

Pas verifikimit të dokumentacionit, është arritur të kontaktohet pronari legjitim, të cilit i janë kthyer të gjitha gjërat e humbura.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka shprehur falënderim për qytetaren, duke theksuar se ky veprim është shembull i ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare.

Rasti dëshmon edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë ndërmjet qytetarëve dhe Policisë së Kosovës, në funksion të sigurisë dhe mirëqenies së komunitetit.

Shpërndaj me të tjerët