Pas 41 vitesh në shërbim të pacientëve dhe shëndetësisë publike, është pensionuar mjeku i Shërbimit të Urologjisë, Dr. Nexhat Shabani.
Me këtë rast, drejtori i Spitalit, Dr. Afrim Cana, i ndau një mirënjohje për kontributin e dhënë ndër vite, duke e vlerësuar si një model të përkushtimit dhe profesionalizmit në mjekësi.
“Dr. Nexhati është model i një mjeku me përvojë të gjatë në shëndetësinë publike, përkushtimi dhe profesionalizmi i të cilit kanë lënë gjurmë të pashlyeshme. E falënderojmë për kontributin e dhënë ndër vite dhe i dëshirojmë shëndet, mbarësi dhe pensionim të qetë”, u shpreh Cana.
Në emër të kolegëve, udhëheqësi i Shërbimit të Urologjisë, Dr. Mervan Tosku, vlerësoi lart bashkëpunimin shumëvjeçar me Dr. Shabanin, duke theksuar se ai ka qenë shembull i etikës profesionale, përkushtimit dhe kujdesit ndaj pacientëve.
I emocionuar, Dr. Nexhat Shabani falënderoi kolegët dhe menaxhmentin për respektin dhe vlerësimin e treguar, duke theksuar se ndihet krenar për punën e bërë gjatë karrierës së tij.
“Jam krenar për punën që kemi bërë së bashku ndër vite. Mbi të gjitha, mbetem i lumtur për shërbimin që u kemi ofruar pacientëve dhe për marrëdhëniet njerëzore e profesionale që kemi ndërtuar. Ju falënderoj të gjithëve për bashkëpunimin dhe respektin e treguar”, tha ai.
Pensionimi i Dr. Nexhat Shabanit shënon fundin e një karriere të gjatë dhe të suksesshme, të ndërtuar mbi profesionalizëm, përkushtim dhe shërbim ndaj pacientëve.
