PËRVJETORI / Ditët kur po ikte Serbia e po hynte NATO, si u çarmatosën paramilitarët që gjuajtën mbi trupat franceze në Gjilan

Ekskluzive: Ish-zëdhënësi i UÇK-së për Karadakun, Ismet Sylejmani (Sokol Gashi), rikujton informatën dramatike të 14 qershorit 1999 dërguar TVSH-së

Pikërisht sot, më 14 qershor 2026, mbushen plot 27 vjet nga një prej momenteve më intensive dhe më dramatike të çlirimit të Kosovës.

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për Zonën Operative të Karadakut, Ismet Sylejmani, i njohur gjatë luftës me nofkën “Sokol Gashi”, ka rikujtuar informatën zyrtare që ia kishte dërguar Televizionit Shqiptar (TVSH) në ditët e etheve të mëdha të çlirimit.

Dokumenti, i datuar më 14 qershor 1999, pasqyron me saktësi ushtarake tërhiqjen e forcave serbe, krimet e tyre të fundit nëpër fshatrat e Anamoravës, plaçkitjet masive dhe momentet e para të zbarkimit të forcave të NATO-s (trupave franceze) në rajonin e Gjilanit.

Më poshtë po e sjellim informatën e plotë të asaj kohe, e cila mbetet një dëshmi e fuqishme historike:

USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS

Zona Operative e Karadakut INFORMATË (Për TVSH-në)

Soldateska ushtarako-policore serbe në tërheqje e sipër, ngado që po kalon në Zonën Operative të Karadakut, po largohet duke djegur e plaçkitur gjithçka e çdo gjë.

Në ikje e plaçkë nëpër duar, vrasësit serbë kanë ndaluar në fshatin Dobërçan, dhe pasi kanë plaçkitur gjithçka që kanë gjetur, e kanë vrarë hoxhën e fshatit Nusret Hajdarin, i kanë plagosur dy të tjerë dhe e kanë djegur xhaminë. Tragjedia do të ishte akoma më e madhe sikur të mos intervenonin forcat franceze.

Gjithashtu po sot në magjistralen Ferizaj-Gjilan në drejtim të Serbisë, edhe në momentet kur po raportojmë, është duke kaluar konvoj i gjatë i forcave militare e paramilitare serbe, në përbërje të të cilit janë: 410 autoblinda, 128 tanksa, 75 kamionë që tërheqin topa pas, 5 kamionë ushtarakë me ura, 150 kamionë jo ushtarakë të mbushur me plaçkë, 30 vetura zyrtare policore,28 autobusë të stërmbushur me popullatë serbe.

Është demoluar tërësisht e është plaçkitur spitali qendror i qytetit të Gjilanit, pastaj gjykata e qarkut, burgu etj.

Në Gjilan mbi forcat franceze të NATO-s kanë gjuajtur paramilitarë serbë, por me intervenim të shpejtë pas një kohe të shkurtër janë zënë të gjallë, janë çarmatosur dhe janë arrestuar.

Në fshatin Kllokot ka ikje masive të popullatës serbe dhe të fshatrave përreth. Stacioni policor serb i Kllokotit është çarmatosur nga trupat franceze.

14.06.1999

Shërbimi për Informim Publik

Zona Operative e Karadakut

Sokol GASHI

 

Shpërndaj me të tjerët