HISTORI/  Kush ishte  ish-i burgosuri politik nga Gjilani që u dënua më 15 qershor dhe lajmëroi lirinë 16 vite më vonë?

Për shumëkënd, 15 qershori shënon thjesht Ditën e Çlirimit të Gjilanit, por për familjen e ish-kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe ish-kryetarit të Lëvizjes “Vatra”, Kushtrim Kadriut, kjo datë mbart një peshë të dyfishtë historike e emocionale.

Përmes një njoftimi prekës, Kadriu ka kujtuar rrugëtimin e vështirë të babait të tij, Nijazi Kadriut, ish-i burgosur politik dhe kryetari i parë i “Vatrës”, duke bërë një paralelizëm mes dy ngjarjeve që lanë gjurmë të pashlyeshme në familjen e tyre dhe në historinë e qytetit.

Për familjen Kadriu, 15 qershori është një datë që kujtohet me dhimbje, krenari dhe gëzim njëkohësisht.

15 Qershor 1983, dënimi politik i Nijazi Kadriut

Më 15 qershor të vitit 1983, Gjykata e Qarkut në Vranjë do të dënonte me burgim për arsye politike veprimtarin e çështjes kombëtare, Njazi Kadriun.

Regjimi i atëhershëm jugosllav shtypte dhe dënonte çdo zë që guxonte të kërkonte liri, barazi dhe të drejta kombëtare për shqiptarët në ish-Jugosllavi.

15 Qershor 1999: Çlirimi i Gjilanit pas katër muajve në ilegalitet

Plot 16 vjet më vonë, po më 15 qershor të vitit 1999, historia do të merrte një kthesë madhore. Pas përfundimit të luftës dhe dëbimit të forcave okupatore, populli doli në rrugët e Gjilanit për të festuar lirinë e shumëpritur.

Për familjen Kadriu, kjo ditë shënonte edhe fundin e një drame të madhe tmerri e përndjekjeje. Ata kishin kaluar mbi katër muaj në ilegalitet të plotë, pasi regjimi serb vazhdonte ta kërkonte derë më derë babanë e tyre.

Megjithatë, frika, pasiguria dhe ndjekjet e vazhdueshme nuk arritën t’i thyenin dot, pasi besimi te liria ishte më i madh se çdo kërcënim.

Simbol i sakrificës dhe i fitores

Në mesazhin e tij, Kushtrim Kadriu ka nënvizuar se kjo datë është shumë më tepër se një numër në kalendar.

“Prandaj, 15 qershori nuk është vetëm një datë në kalendar. 15 qershori është simbol i sakrificës, qëndresës dhe fitores së lirisë. Një kujtesë se rruga drejt lirisë ka qenë e vështirë, por se ajo është fituar me dinjitet, guxim dhe krenari”, ka përfunduar Kadriu.

 

Shpërndaj me të tjerët