Përfaqësuesja e Kosovës në Muay Thai ka marrë rrugën zyrtarisht drejt Kuala Lumpurit të Malajzisë, ku po zhvillohet Kampionati Botëror i Muay Thai IFMA 2026.
Në mesin e sportistëve elitë që kanë udhëtuar për të përfaqësuar ngjyrat e shtetit tonë, vëmendjen e ka rrëmbyer një talent i jashtëzakonshëm nga Gjilani, i cili shihet si një shpresë e madhe për medalje.
Ai është Eros Berisha, një djalosh vetëm 16-vjeçar, por me një potencial dhe talent të rrallë për këtë sport luftarak.
Erosi pritet ta përfaqësojë Kosovën me dinjitet të lartë në këtë arenë të rëndësishme ndërkombëtare, ku do të përballet me luftëtarët më të mirë të botës.
Në këtë rrugëtim të madh, pas tij qëndron një emër i njohur i sportit gjilanas. Ai shoqërohet nga trajneri i tij në klubin “FightClub KATANA” nga Gjilani, Valmir Hoti, i cili në këtë kampionat botëror mban edhe rolin e përgjegjshëm të trajnerit të Përfaqësueses së Federatës së Muay Thai të Kosovës.
Për t’u bërë pjesë e kësaj ngjarjeje madhore globale, dyshja ka lënë pas vetes disa muaj përgatitjesh mjaft intensive, stërvitje të rrepta dhe sakrifica të shumta.
Tashmë, ata janë plotësisht të gatshëm dhe të motivuar për të dhënë maksimumin në ring.
Pjesëmarrja e Erosit dhe delegacionit kosovar në këtë kampionat botëror në Malajzi është një tjetër dëshmi e rritjes dhe përkushtimit të madh që po bëhet në sportin tonë, si dhe një mundësi e jashtëzakonshme për ta ngritur edhe më lart flamurin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

