Në Ditën e Çlirimit të Gjilanit nënshkruhet marrëveshje për kontrolle mjekësore falas për kategoritë e luftës
Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Karadakut, Ahmet Isufi, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet Dr. Agron Lekës dhe përfaqësuesve të shoqatave të dala nga lufta.
Marrëveshja u nënshkrua me përfaqësuesit e Shoqatës së Invalidëve të Luftës (SHIL), të kryesuar nga Selver Kçiku, Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), të përfaqësuar nga Xhevdet Mehmeti, si dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve (SHFD), të kryesuar nga Rashit Ymeri.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është ofrimi i kontrolleve mjekësore falas për familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e luftës.
Sipas Isufit, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje pikërisht në Ditën e Çlirimit të Gjilanit ka simbolikë të veçantë, pasi dëshmon përkushtimin institucional dhe shoqëror për ruajtjen e vlerave të luftës dhe kujdesin ndaj kategorive të dala nga lufta.
Ai shprehu falënderim të veçantë për Dr. Agron Lekën për gatishmërinë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës.

