Të martën, më 16 qershor, vëmendja e mbarë opinionit sportiv kosovar është e kthyer nga shorti i raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve UEFA për sezonin 2026/27.
Në këtë short do të marrin pjesë gjithsej 28 klube, të ndara në mënyrë të barabartë: 14 ekipe bartëse (të renditura në vendin e parë) dhe 14 ekipe jo-bartëse (të pa renditura në vendin e parë).
Sot pasdite, saktësisht në orën 16:00, kampionia e Kosovës në futboll, FC Drita, do të mësojë zyrtarisht rrugëtimin e saj në Europë.
Për të lehtësuar procesin e përzgjedhjes së skuadrave, UEFA ka ndarë minigrupet dhe lajmi kryesor që vjen nga ky vendim është mundësia e një përballjeje spektakolare mbarëshqiptare.
Mundësia e një derbi mbarëshqiptar
Në ndarjen e bërë nga UEFA, kampionët bardhekatër të Gjilanit pozicionohen në grupin e skuadrave favorite (bartëse), ndërsa kampionia e Shqipërisë, Egnatia, ndodhet në grupin e skuadrave jofavorite.
Kjo bën që një përballje direkte mes tyre në këtë fazë të parë të jetë plotësisht e mundshme.
UEFA ka caktuar saktësisht emrat e shtatë skuadrave që Drita i ka përballë si kundërshtarë të mundshëm në këtë short.
Kampioni i Kosovës do të peshkohet me njërën nga këto ekipe: Egnatia Rrogozhinë (Shqipëri), Levski Sofia (Bullgari), Sutjeska e Nikshiqit (Mali i Zi), FC Győri (Hungari), Kauno Žalgiris (Lituani), ML Vitebsk (Bjellorusi) dhe FC Atert Bissen (Luksemburg).
Datat e ndeshjeve dhe detajet e kalendarit
Së bashku me procedurat e shortit, janë bërë të ditura edhe datat se kur do të luhen këto takime kualifikuese.
Ndeshjet e para të këtij raundi do të zhvillohen më 7 dhe 8 korrik, ndërsa ato të kthimit do të luhen pas një jave, më 14 dhe 15 korrik.
Datat e konfirmuara përfundimisht për secilin çift, si dhe oraret zyrtare të fillimit të ndeshjeve, do të shpallen menjëherë pas përfundimit të shortit.
Gjithçka do të vendoset sot pas orës 16:00, kur edhe do të hidhen goglat në selinë e UEFA-s, për të parë nëse shorti do të rezervojë një derbi të zjarrtë shqiptar apo Drita do të sfidojë një tjetër rival europian.

