BOMBË NË MERKATO / Drita transferon mbrojtësin e djathtë me vlerë 350 mijë euro nga Superiorja e Shqipërisë!

Kampioni i Kosovës në futboll, FC Drita, po vazhdon të jetë mjaft aktiv në afatin kalimtar, duke përforcuar radhët e veta për sfidat e reja në kampionat dhe në garat europiane.

Skuadra bardhekaltër ka prezantuar zyrtarisht mbrojtësin e djathtë, Agan Mjaki, si prurjen më të re të klubit.

Përmes një njoftimi zyrtar, klubi kampion gjilanas i ka dëshiruar mirëseardhje lojtarit, duke i uruar shumë suksese dhe paraqitje dinjitoze me fanellën e re.

Agan Mjaki është 23-vjeçar, i lindur në Amsterdam të Holandës, por që posedon shtetësinë e Shqipërisë.

Mbrojtësi shtatgjatë (1.83 m) ka një eksperiencë të rëndësishme në futbollin shqiptar, ku së fundmi ishte pjesë e KF Laçit në Kategorinë Superiore.

Gjatë edicionit të fundit, ai u paraqit në 31 ndeshje, duke kontribuuar me 5 asistime për bashkëlojtarët, ndërsa u ndëshkua me 7 kartonë të verdhë dhe 1 karton të kuq (pas dy të verdhëve).

Mjaku po ashtu ka qenë pjesë e mbrojtjes së Kombëtares së Shqipërisë për grupmoshat U21.

Se bëhet fjalë për një goditje mjaft cilësore në tregun e transferimeve e dëshmon edhe vlera e tij aktuale në uebfaqen e specializuar për vlerësimin e futbollistëve, transfermarkt.com, ku kartoni i tij kap shifrën e 350 mijë eurove.

Tashmë mbrojtësi i djathtë do të vihet nën urdhrat e shtabit teknik për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet e raundit të parë kualifikues në Champions League.

 

Shpërndaj me të tjerët