HISTORI URBANE/ Gjilani nga 6 taksi deri në epokën e motorizimit

Gjilani nga 6 taksi në epokën e motorizimit,  historia që tregon sa shpejt ndryshoi qyteti
Kur rrugët e Gjilanit s’kishin as vetura,  sot trafik i përditshëm

Sot Gjilani përballet me trafik të ngarkuar dhe qindra automjete në qarkullim, por historia e tij automobilistike nis nga një realitet krejt tjetër, thuajse i paimagjinueshëm për standardet e sotme.

Fillimet e motorizimit në Gjilan datojnë midis dy luftërave botërore, kur mjetet motorike nisën të zëvendësonin karrocat me kuaj dhe gradualisht të sfidonin edhe transportin hekurudhor. Ishte koha kur rrugët e qytetit filluan të marrin një rol të ri dhe shumë më strategjik.

Para Luftës së Dytë Botërore, Gjilani kishte vetëm 6 taksi, 3 autobusë dhe 6 kamionë – një numër simbolik krahasuar me zhvillimin e sotëm.

Pikërisht në vitin 1932, mjeshtri Sylejman Riza Demiri solli automjetin e parë për transport udhëtarësh dhe themeloi ndërmarrjen “Riziq”, duke shënuar nisjen e epokës moderne të transportit në qytet.

Në të njëjtën periudhë, aktivitet në këtë fushë nisën edhe familjet Zarkoviq dhe Vitkoviq, të cilat krijuan ndërmarrjen “Kosovo”, duke zgjeruar rrjetin e transportit të asaj kohe.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Sylejman Demiri vazhdoi të punojë si taksist privat, por më pas iu konfiskuan automjetet, të cilat u përdorën për themelimin e ndërmarrjes shtetërore të transportit.

Vetëm disa dekada më vonë, tabloja ndryshoi ndjeshëm.

Në vitin 1958, Gjilani kishte 19 vetura, 14 autobusë dhe 40 kamionë, ndërsa në vitin 1963 numri i veturave u rrit në 43 , prej tyre 13 private dhe 30 në pronësi shtetërore e shoqërore.

Këto të dhëna, të mbledhura nga Faik Zyazade, burime të gazetës “Rilindja” dhe libri “Gjilani – Qendër e Anamoravës”, tregojnë qartë transformimin e jashtëzakonshëm të një qyteti që brenda pak dekadash kaloi nga pothuajse pa automjete në një qendër të rëndësishme të lëvizjes dhe transportit në Anamoravë.

Shpërndaj me të tjerët