SC Gjilani do të luajë sot si mysafir në Podujevë përballe KF Llapit, në një transfertë sa të vështirë po aq edhe përcaktuese.
Skuadra kuqebardhë udhëton me synime të qarta dhe objektivin e vetëm: marrjen e pikëve maksimale nga ky duel me rivalitet të lartë.
Pavarësisht sfidës që e pret skuadrën e tij, kryetrajneri i Gjilanit, Debatik Curri, ka bërë të ditur se ekipi i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme taktike.
“Llapi është një kundërshtar shumë i fortë, veçanërisht kur luan si vendas. Ata aplikojnë një futboll të mirë dhe mjaft agresiv. I kemi marrë të gjitha masat dhe i kemi analizuar me kujdes të gjitha pikat e tyre të forta. Jemi plotësisht të gatshëm që futbollistët të japin maksimumin në fushë dhe të dalim me fitore nga kjo ndeshje,” është shprehur Curri para takimit.
Gjilani hyn në këtë sfidë me moral të lartë pas fitores bindëse 3:1 si mysafir kundër Feronikelit ’74 në Drenas gjatë xhiros së parë.
Në anën tjetër, llapjanët kërkojnë këndelljen përpara tifozëve të tyre, pasi pësuan humbje 5:3 në udhëtim ndaj kampionit në fuqi, Dritës.
Mbetet të shihet në fushën e lojës se cili nga dy ekipet do të triumfojë në këtë përballje me rivalitet të lartë të futbollit kosovar.
