SAKRIFICË. QËNDRESË. KRENARI. LAVDI.
Pesë ditë pas ndarjes nga jeta të nënës, gjyshes dhe motrës sonë, Nexhmie Kurteshi Idrizi nga Zhegra, kujtojmë një grua që përjetoi nga afër tmerrin e luftës dhe humbi bashkëshortin, kunatin dhe kunatën.
Më 29 mars 1999, Nexhmija u mor peng së bashku me dy nipërit e saj, Drinorin dhe Djellorin, si dhe me Egzonën, vajzën e kushëririt të saj. Ata u mbajtën në një lokal të një serbi vendor, në qendër të fshatit, ku kishte prani të madhe të forcave ushtarake, policore e paramilitare, si dhe të serbëve vendorë.
Ndërkohë, disa nga familjarët e saj të afërt – bashkëshorti, kunati dhe kunata – ishin kidnapuar nga forcat ushtarake e paramilitare dhe ishin dërguar në hapësirat e shkollës në Zhegër. Më pas, ata u ekzekutuan në oborrin e shtëpisë.
Në një nga momentet më të tmerrshme të asaj dite, Nexhmija, së bashku me disa familjarë, u nxor pranë shtëpive të lagjes, te një gropë septike që shërbente për ujërat e zeza, me qëllim që të pushkatoheshin.
Por fati deshi ndryshe.
Në ato çaste të tmerrshme, kur vdekja dukej e pashmangshme, Nexhmija dhe familjarët e saj shpëtuan nga ekzekutimi.
Ajo jetoi gjithë jetën me plagët dhe kujtimet e asaj dite të kobshme, por kurrë nuk u përkul. Në zemër mbajti dhimbjen për njerëzit e saj të vrarë, por edhe krenarinë për familjen, forcën dhe qëndresën e saj.
Sot, pesë ditë pas ndarjes së saj nga jeta, e kujtojmë me dhimbje, respekt dhe mirënjohje.
Qoftë i përjetshëm kujtimi i Nexhmie Kurteshi Idrizit.
Zoti e mëshiroftë dhe e pastë në mëshirën e Tij.
Lavdi sakrificës dhe qëndresës së saj!
Muhadin Haziri
