SPORT/Gjilanasja Ema Maliqi nënshkruan kontratën e parë profesionale me KFV Prishtina

Një ditë e veçantë për futbollin e femrave në Kosovë. Futbollistja nga Gjilani, Ema Maliqi, ka nënshkruar zyrtarisht kontratën e saj të parë profesionale me klubin KFV Prishtina, duke konfirmuar ngritjen e saj të shpejtë në elitën e futbollit kosovar.

​Ema iu bashkua kryeqytetaseve para dy vitesh si pjesë e grupmoshës U17. Edicionin e kaluar, ajo shkroi historinë personale duke debutuar në Superligën e Kosovës si futbollistja më e re e klubit në elitën e futbollit tonë.

​Akti i nënshkrimit erdhi në një moment kyç për karrierën e saj, pak para nisjes drejt Italisë ku do të përfaqësojë Përfaqësuesen e Kosovës në Lojërat Mesdhetare.

Në këtë moment të rëndësishëm, Ema shoqërohej nga prindi i saj, Arben Maliqi, ish-futbollist që ka bartur fanellën e të dyja klubeve gjilanase.

​Në këtë rrugëtim zhvillimi, Ema dhe talentet e tjera gjejnë mbështetjen e vazhdueshme të donatorit kyç të KFV Prishtina, Groupe Orllati SA, i cili përmes programit të bursave po investon drejtpërdrejt në zhvillimin dhe të ardhmen e vajzave në sport.

​Nga një vajzë me ëndrra të mëdha, sot një futbolliste profesioniste dhe reprezentuese e Kosovës, Ema Maliqi me përformancën e saj po e bën krenar jo vetëm klubin e saj, por edhe qytetin e Gjilanit.

Shpërndaj me të tjerët