Drogat përbëjnë një kërcënim serioz për shëndetin
(Dita Ndërkombëtare kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Drogave)
Kjo ditë simbolizon Ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Drogave.
Sipas profesionistëve shëndetësorë, përdorimi i drogave përbën një kërcënim serioz për shëndetin, sigurinë e individëve dhe komuniteteve.
Varësia nga përdorimi i drogave është një dukuri prezente, ndërsa trajtimi i saj kërkon bashkëpunim dhe rrjetëzim të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe komunitetit.
Varësia nga drogat ka disa aspekte:
Toleranca – nënkupton adaptimin fiziologjik të organizmit ndaj një droge. Për të përjetuar të njëjtin efekt si më parë, përdoruesi duhet të marrë sasi gjithnjë e më të mëdha të drogës, duke rritur vazhdimisht dozën.
Varësia fizike – shfaqet kur një personi i nevojitet droga për të funksionuar. Disa droga nxisin mekanizma përshtatës në organizëm, duke ndryshuar funksionimin normal të organeve.
Varësia psikologjike – shfaqet kur përdoruesi ndien nevojën e vazhdueshme për ta përdorur drogën, me bindjen se vetëm ajo i mundëson ndjenjën e mirëqenies dhe funksionimin normal.
Mosmarrja e drogës (abstenimi) – shfaqet kur një person me varësi fizike ose psikologjike ndërpret përdorimin e drogës.
Në përpjekje për të kompensuar mungesën e substancës, organizmi përjeton krizë dhe shfaq simptoma fizike e psikologjike.
Varësia nga substancat përkufizohet si paaftësi për të kontrolluar përdorimin e një droge psikoaktive, pavarësisht pasojave fizike, emocionale, mendore dhe sociale që ajo shkakton.
Varësia nga substancat shfaqet kur një person:
• Krijon varësi ndaj efekteve të substancës; • Përjeton simptoma të abstinencës kur ndërpret përdorimin dhe përdor substanca të tjera për t’i lehtësuar ato; • Merr drogë në doza gjithnjë e më të mëdha dhe për periudha më të gjata sesa kishte planifikuar;
• Dëshiron të zvogëlojë ose kontrollojë përdorimin, por nuk arrin ta bëjë këtë;
• Shpenzon shumë kohë për sigurimin, përdorimin dhe rikuperimin nga efektet e drogës;
• Redukton ose shmang aktivitetet e rëndësishme sociale, profesionale dhe rekreative për shkak të përdorimit të drogës;
• Vazhdon përdorimin edhe pse është i vetëdijshëm për problemet sociale, psikologjike dhe fizike që ajo i shkakton.
Rol të rëndësishëm në parandalim, mbështetje dhe trajtim kanë familja, institucionet relevante dhe profesionistët e shëndetit mendor.
Marrëdhëniet pozitive në familje, lidhjet e forta familjare, komunikimi i mirë, ndjenja e përkatësisë, angazhimi dhe përgjegjësia, si dhe krijimi i një identiteti të shëndoshë personal e familjar, janë faktorë mbrojtës dhe parandalues ndaj përdorimit të substancave të ndryshme.
Po ashtu, stilet e shëndosha të prindërimit, komunikimi i hapur me adoleshentët dhe të rinjtë, vendosja e rregullave të qarta dhe bisedat për pasojat e përdorimit të drogave ndikojnë pozitivisht në parandalim.
Shkolla, si institucion relevant, përmes aktiviteteve edukative, sportive dhe rekreative, ndihmon në ngritjen e ndjenjës së përkatësisë te nxënësit.
Sa më i angazhuar të jetë një i ri në aktivitete pozitive, aq më të vogla janë gjasat për devijim dhe konsumim të drogave.
Gjithashtu, standardet e qarta komunitare, ligjet, politikat dhe normat kundër përdorimit të drogave ndikojnë në mbrojtjen e shëndetit të të rinjve.
Edhe bashkëmoshatarët luajnë rol të rëndësishëm.
Një rreth shoqëror që nuk konsumon drogë ushtron ndikim pozitiv dhe ul ndjeshëm mundësinë që adoleshentët të përfshihen në përdorimin e substancave narkotike.
Ofrimi i shërbimeve nga profesionistët shëndetësorë, trajtimi dhe mbajtja e seancave individuale, grupore dhe familjare përbëjnë një mundësi të rëndësishme për parandalimin e konsumimit të drogave dhe ruajtjen e shëndetit psiko-emocional, fizik dhe social.
Ma. Sc. Besnik Sherifi
Specialist i Psikologjisë Klinike

