Një person nga Gjilani është proceduar nga Policia e Kosovës, pasi në disa raste nuk ka përfillur urdhrat e zyrtarëve policorë për t’u ndalur gjatë drejtimit të motoçikletës, duke rrezikuar sigurinë e policëve dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Sipas Policisë, më 26 qershor 2026, zyrtarët e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Gjilan, të angazhuar në kuadër të Task Forcës “Siguria në Trafik”, kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta ndalojnë të dyshuarin, shtetas i Kosovës me vendbanim në Gjilan.
Gjatë procedurës për tërheqjen e motoçikletës, i dyshuari ka penguar zyrtarët policorë dhe personelin e autorizuar për bartjen e automjeteve në kryerjen e detyrave zyrtare.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit janë iniciuar procedurat kundërvajtëse ndaj tij. Policia ka shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje nga fusha e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, si dhe për shkelje të
Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Gjatë trajtimit të rastit janë evidentuar gjithsej tetë kundërvajtje, për të cilat janë përpiluar fletëparaqitje që do të procedohen në gjykatë.
Po ashtu, Policia ka bërë sekuestrimin e përkohshëm të motoçikletës së përdorur nga i dyshuari.
Rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt pranë gjykatës kompetente.

