SPORT/ Gjilani e blen përfundimisht Hamdi Namanin nga Prishtina

Hamdi Namani do të vazhdojë të jetë pjesë e Sport Club Gjilanit edhe në sezonet e ardhshme.

Klubi kuqe e bardhë ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me FC Prishtinën për transferimin me të drejta të plota të mesfushorit.

Namani, i cili gjashtë muajt e fundit ishte pjesë e Gjilanit në formë huazimi nga klubi kryeqytetas, tashmë është transferuar përfundimisht dhe ka nënshkruar kontratë që e mban të lidhur me klubin deri në verën e vitit 2028.

Sipas klubit, paraqitjet e tij me fanellën kuqe e bardhë, profesionalizmi dhe përkushtimi në fushë kanë bindur drejtuesit që ta finalizojnë transferimin, duke e konsideruar një pjesë të rëndësishme të projektit për vitet në vazhdim.

SC Gjilani ka falënderuar FC Prishtinën për bashkëpunimin në realizimin e këtij transferimi, ndërsa i ka uruar Hamdi Namanit suksese dhe sa më shumë fitore me fanellën kuqe e bardhë.

Shpërndaj me të tjerët