Asambleisti i Lëvizjes Vatra në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriu, ka kërkuar që subvencionet direkte për bujqit të shpërndahen sa më shpejt, duke vlerësuar se fermerët po përballen me kosto gjithnjë e më të larta të prodhimit.
Sipas Kadriut, prej disa vitesh sektori i bujqësisë është goditur nga rritja e vazhdueshme e çmimeve të inputeve bujqësore, si farërat, plehrat, pesticidet, karburantet dhe pajisjet e nevojshme për prodhim, gjë që ka rënduar ndjeshëm gjendjen e fermerëve.
Ai thekson se në këto rrethana mbështetja institucionale është thelbësore për të garantuar vazhdimësinë e prodhimit vendor, ruajtjen e vendeve të punës dhe sigurinë ushqimore të vendit.
“Çdo vonesë në pagesën e subvencioneve u krijon vështirësi shtesë fermerëve, të cilët kanë nevojë për mjete financiare pikërisht në periudhën kur kryejnë punët sezonale dhe investimet në fermat e tyre”, ka deklaruar Kadriu.
Ai ka bërë thirrje që të nisë menjëherë edhe procesi i verifikimit të deklarimeve të bujqve, në mënyrë që mbështetja financiare të arrijë te përfituesit pa vonesa.
Sipas tij, përshpejtimi i shpërndarjes së subvencioneve do të ishte një mbështetje konkrete për fermerët dhe një investim i drejtpërdrejtë në zhvillimin e bujqësisë dhe ekonomisë së vendit.
