Stadiumi hesht, lojtarët ulen në tokë, njëri prej tyre godet tupanin me çekan dhe e gjithë masa shpërthen në kor: “RO!”. Kjo koreografi misterioze e Norvegjisë që po bën xhiron e rrjetit nuk është thjesht një spektakël festimi, por një armë e lashtë psikologjike që po riorganizon rregullat e sportit modern.
Për një të huaj kjo thirrje tingëllon si një marsh lufte agresiv, por në gjuhën norvegjeze “Ro” do të thotë qetësi. Në mjediset sportive elitare skandinave, ky koncept përdoret si formula kryesore e gjakftohtësisë absolute.
Të kesh “ro” do të thotë të mbash kokën e ftohtë në momente vendimtare, të kontrollosh emocionet nën presion maksimal dhe të izolohesh plotësisht nga zhurma e ambientit për t’u fokusuar te detyra, jo te rezultati.
Rrënjët e këtij sekreti shkojnë thellë në histori, ku folja “å ro” në norvegjisht ka edhe një kuptim tjetër: “të rrembësh”. Në mes të stuhisë, vikingët në anije sinkronizonin lëvizjet nën ritmin e tupanit; kush panikohej apo humbiste sekondën, rrezikonte jetën e të gjithë ekuipazhit.
Sot, yjet e futbollit norvegjez ulen barabartë në fushë duke imituar pikërisht lëvizjen e lundërtarëve për të treguar të njëjtën gjë: egoja individuale zhduket dhe suksesi vjen vetëm kur të gjithë shtyjnë përpara në një drejtim.
Mesazhi është i qartë: në një botë hiperaktive që nxiton e bërtet, Norvegjia po dëshmon se triumfi i vërtetë nuk i takon më atij që është më agresiv, por atij që di të zotërojë stuhinë përmes qetësisë së plotë mendore.
