Muhadin Haziri, qytetar dhe banor i fshatit Zhegër të Komunës së Gjilanit, ka reaguar me tone të ashpra ndaj dukurisë shqetësuese të hedhjes së mbeturinave nëpër tokat punuese.
Rasti në fjalë ka ndodhur në fushën bujqësore të Zhegrës, saktësisht afër daljes në rrugën kryesore që të çon drejt fshatrave Lladovë dhe Nasalë.
I indinjuar me pamjet dhe papërgjegjësinë e disave, Haziri ka drejtuar një mesazh të fortë publik, duke e cilësuar këtë veprim si një turp të madh dhe përdhosje të natyrës e të bukës së gojës.
“Turp i madh! Në vendin tonë, pranë bereqetit që na e ka falur Zoti, nuk hidhen mbeturinat e nuk përdhoset toka në këtë mënyrë. Buka dhe natyra respektohen, nuk poshtërohen. Çfarë ndërgjegjeje duhet të kesh që ta shndërrosh vendin në deponi? A nuk të shkon mendja se po helmon tokën, ujin dhe ajrin që i thith edhe fëmija yt? A nuk gjete një vend tjetër për t’i hedhur këto mbeturina?”, u shpreh ai.
