SIGURI/ Policia dhe banorët e Pogragjës bëhen bashkë kundër drogës dhe zjarreve

Policia e Kosovës ka zhvilluar një takim të rëndësishëm koordinues me Komitetin Lokal për Siguri në Bashkësi në fshatin Pogragjë të Gjilanit, ku temë kryesore e diskutimit ishte gjendja e përgjithshme e sigurisë dhe koordinimi i hapave konkretë për parandalimin e dukurive negative.

Takimi, i cili u mbajt në zyrën për kontakte me qytetarë në Pogragjë, u udhëhoq nga Koordinatori i Projekteve për Komunitet dhe Parandalim në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjilan, Toger Fatos Latifi, dhe kryetari i komitetit lokal për këtë fshat, Avdil Islami.

Gjatë këtij bashkëbisedimi u dakorduan masat për realizimin e dy aktiviteteve madhore me interes publik. Fillimisht u diskutua për Planin e Veprimit „Stop drogave 2026“, i cili fokusohet në masat parandaluese dhe vetëdijesimin e rinisë dhe komunitetit kundër kësaj dukurie të rrezikshme për shoqërinë, si dhe në pasojat e rënda që shkakton përdorimi i narkotikëve.

Projekti tjetër i rëndësishëm që mori dritën jeshile është „Bashkësi e sigurt pa zjarre“, një nismë e përbashkët për sensibilizimin e qytetarëve me qëllim parandalimin e zjarreve në ambiente të hapura dhe mbrojtjen e mjedisit.

Përmes këtij projekti, banorët do të njoftohen në detaje mbi pasojat e zjarreve dhe sanksionet e rrepta ligjore që parashihen për personat e papërgjegjshëm që shkaktojnë zjarrvënie.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka shprehur një falënderim të sinqertë për bashkëpunimin e treguar nga ana e anëtarëve të këtij komiteti në Pogragjë, duke rikonfirmuar se ky partneritet mbetet gjithmonë një urë lidhëse dhe një derë e hapur për çdo brengë dhe iniciativë të qytetarëve.

Në mbyllje të njoftimit thuhet se Policia e Kosovës dhe Komiteti Lokal i Sigurisë në Pogragjë mbeten plotësisht të përkushtuara në identifikimin dhe adresimin e nevojave të banorëve, me synimin e vetëm për të krijuar një ambient sa më të qetë dhe të sigurt për të gjithë.

 

Shpërndaj me të tjerët