Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Kamenicë, ka zhvilluar një takim me inspektorët komunalë dhe pronarët e bizneseve të gastronomisë, në kuadër të Planit Operativ “Sezoni Veror 2026”.
Takimi u udhëhoq nga komandanti i Stacionit Policor në Kamenicë, kapiten Basri Shkodra, së bashku me stafin e tij. Gjatë diskutimit u trajtuan çështje që lidhen me organizimin e ahengjeve, dasmave dhe aktiviteteve të tjera, duke pasur parasysh ardhjen e një numri të madh të mërgimtarëve gjatë sezonit veror.
Kapiten Shkodra theksoi se qëllimi i takimit është krijimi i një ambienti të qetë dhe të sigurt, duke kërkuar nga të gjithë pjesëmarrësit respektimin e rendit dhe qetësisë publike, si dhe zbatimin e ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës.
Në takim, përfaqësuesit e bizneseve dhe inspektorët komunalë shprehën gatishmërinë për bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me synim respektimin e rregullave dhe mbarëvajtjen e sezonit veror.
Policia e Kosovës bëri të ditur se, në bashkëpunim me institucionet komunale dhe partnerët e sigurisë, do të vazhdojë angazhimin për garantimin e rendit, qetësisë dhe sigurisë për të gjithë qytetarët.
