USHTRI/ Majori Afrim Xhelili nga Përlepnica diplomon me sukses në Akademinë e Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar

Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), major Afrim Xhelili nga Përlepnica e Gjilanit, ka përfunduar me sukses të lartë Kursin e Avancuar të Komandës dhe Shtabit (ACSC) në Akademinë e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar në Shrivenham.

Paralelisht, ai ka mbrojtur edhe titullin Master në Studime të Mbrojtjes në universitetin prestigjioz King’s College London.

Programi përgatit udhëheqësit ushtarakë për detyra komanduese në nivel strategjik dhe operacional, me fokus në planifikimin e operacioneve komplekse dhe ruajtjen e paqes globale.

Në vitin akademik 2025/2026, në këtë program morën pjesë mbi 240 oficerë nga Britania e Madhe dhe 47 shtete të tjera.

Diplomimi i majorit Afrim Xhelili konsiderohet një tjetër dëshmi e profesionalizmit dhe avancimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s.

Me këtë arritje, Afrim Xhelili vazhdon ta bëjë krenare vendlindjen e tij, Përlepnicën, duke iu bashkuar shumë bashkëvendësve që me përkushtim kontribuojnë për shtetin e Kosovës.

Shpërndaj me të tjerët