Asambleisti i Lëvizjes Vatra në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriu, ka publikuar një ankesë të banorëve të lagjes “Dheu i Bardhë”, të cilët shprehin shqetësime për mungesën e sigurisë në parkun e ri të kësaj lagjeje.
Sipas ankesës së bërë publike, banorët dyshojnë se në park mblidhen persona që përdorin lëndë narkotike, gjë që ka rritur shqetësimin e tyre për sigurinë.
Kadriu thekson se e ka publikuar këtë shqetësim pasi parku frekuentohet çdo ditë nga shumë fëmijë dhe qytetarë edhe nga lagje të tjera.
Për këtë arsye, banorët kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që të shtojnë masat e sigurisë dhe praninë e organeve të rendit, në mënyrë që parku të mbetet një hapësirë e sigurt për të gjithë qytetarët.
