SPORT/ Drita sonte përballet me Floriana FC në Maltë

Kampionia e Kosovës nis aventurën në UEFA Conference League, ndërsa trajneri Ramadani kërkon angazhim dhe sakrificë
Drita sonte nis rrugëtimin në UEFA Conference League, ku në kuadër të raundit të dytë kualifikues përballet me skuadrën malteze Floriana FC.

Ndeshja do të zhvillohet në Centenary Stadium, Ta’ Qali, me fillim nga ora 19:30.

Skuadra gjilanase ka bërë të ditur se në këtë përballje hyn me besim, përqendrim dhe vendosmëri për ta përfaqësuar me krenari klubin, tifozët dhe qytetin e Gjilanit.

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, e ka vlerësuar ndeshjen si të vështirë për të dyja skuadrat.“Është një ndeshje e vështirë, si për ne, ashtu edhe për kundërshtarin. Kemi punuar edhe në aspektin psikologjik, pasi nuk arritëm objektivin në Champions League. Për ne, në këtë garë, synimi është ta përsërisim suksesin e vitit të kaluar. Na duhet mund, sakrificë, angazhim dhe luftë sportive”, ka thënë Ramadani.

Shpërndaj me të tjerët